Pas 1 janarit 2026 sigurimi i makinës ndryshon sërish, skema
Nga janari 2026 nis sistemi “bonus-malus”, që rrit çmimet për shoferët me aksidente dhe ul për ata pa dëme.
Rregullorja e re ndryshon mënyrën e llogaritjes së sigurimit
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka konfirmuar se rregullorja e re për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve do të fillojë të zbatohet plotësisht nga 1 janari 2026. Kjo do të thotë se të gjithë drejtuesit që kanë shkaktuar aksidente gjatë vitit 2025 do të paguajnë më shumë sigurim vitin e ardhshëm.
Ndryshimet vijnë në kuadër të sistemit të ri të vlerësimit të riskut, që u miratua në fillim të vitit 2025 dhe përfshin shtatë faktorë: fuqinë motorike, moshën e shoferit, eksperiencën në drejtim, përdorimin e mjetit, qarkun e regjistrimit, vjetërsinë e makinës dhe historikun e aksidenteve.
Si funksionon sistemi “bonus-malus”
Në bazë të sistemit të ri, drejtuesit pa aksidente do të përfitojnë “bonus”, pra ulje të çmimit të sigurimit, ndërsa ata që kanë shkaktuar dëme do të penalizohen me “malus”, ose rritje të tarifës. Sipas AMF-së, rreth 3.8% e drejtuesve të mjeteve në vend pritet të penalizohen për shkak të historikut të dëmeve.
Ndërkohë, aksidentet e ndodhura përpara vitit 2025 nuk do të merren në konsideratë, pasi sistemi i ri fillon zbatimin nga e para. Kjo synon të nxisë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes më të madh në qarkullim dhe të reduktojnë numrin e dëmeve të raportuara.
AMF: Një hap drejt standardeve evropiane
Drejtuesja e AMF-së, Mimoza Kaçi, deklaroi se modeli nuk është marrë drejtpërdrejt nga ndonjë vend specifik, por është përshtatur me kushtet e tregut shqiptar. “Nuk ekziston një model që i përshtatet çdo vendi. Këta janë faktorë minimalë që mund të zgjerohen më tej për çdo shoqëri. Mund të mos jetë perfekt, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Me hyrjen në fuqi të sistemit “bonus-malus”, sigurimi i makinës pritet të bëhet më i drejtë dhe më i diferencuar, duke shpërblyer drejtuesit e kujdesshëm dhe ndëshkuar ata me histori të përsëritur aksidentesh.